Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar se Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës, e miratuar në vitin 2022, i mundëson Listës Serbe ta ketë nënkryetarin e Kuvendit.
Sipas tij, kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me Rregulloren e vitit 2010, e cila, siç thotë ai, nuk i jepte ekskluzivitet asnjë partie politike serbe për të pasur këtë pozitë.
“Në prill të vitit 2010, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Rregulloren e Punës, e cila nuk i jepte ekskluzivitet asnjë partie politike serbe për të pasur nënkryetarin e Kuvendit (foto 1). Ndërsa në korrik 2022, Kuvendi aprovoi Rregulloren e re të Punës, e cila i mundëson Listës Serbe ta ketë nënkryetarin (foto 2)”, ka shkruar Haradinaj.
Më tej, deputeti i AAK-së ka shtuar se tashmë është e qartë se kush ka pasur shumicën parlamentare në të dy periudhat.
“Tashmë dihet se kush e ka pasur shumicën në vitin 2010 dhe kush në vitin 2022 në Kuvendin e Kosovës. Patriotizmi sezonal është tipar i mashtruesve të lindur. Folni fshehurazi, ‘zgërdhihuni’ nëpër bufe me djallin e të birin, bëni plane skutave, e në publik na shisni moral. Marrë ju qoftë!”, ka përfunduar Haradinaj.

