Kriza në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ka bërë thirrje banorëve të Gazës të largohen menjëherë nga zonat e sulmuara, ndërsa ushtria izraelite ka intensifikuar bombardimet në prag të një ofensivë të re për marrjen nën kontroll të plotë të enklavës.
Thirrja e Netanyahut erdhi mes paralajmërimeve dhe shqetësimeve të thella ndërkombëtare. Organizatat humanitare dhe shtetet perëndimore i kanë kërkuar Izraelit të ndalë ofensivën për shkak të krizës së rëndë humanitare që po përjeton popullsia civile palestineze.
Sipas autoriteteve lokale në Gaza, vetëm më 8 shtator u regjistruan të paktën 39 viktima, përfshirë 25 në Qytetin e Gazës.
Pak orë para deklaratës së Netanyahut, një nga sulmet më të rënda kundër civilëve në Jerusalem tronditi Izraelin. Dy palestinezë hapën zjarr brenda një autobusi, duke vrarë 6 persona. Sulmuesit u qëlluan për vdekje nga policia dhe një civil i armatosur.
“Këta vrasës vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë për të luftuar terrorizmin,” reagoi Netanyahu menjëherë pas sulmit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një marrëveshje për Rripin e Gazës është “shumë afër”. Ai theksoi se Izraeli ka pranuar kushtet e ofruara nga Washingtoni dhe i bëri thirrje Hamasit t’i pranojë menjëherë, duke e quajtur këtë “paralajmërimin e fundit”.
Hamasi, nga ana tjetër, u shpreh i gatshëm të diskutojë “idetë amerikane” për një armëpushim. Marrëveshja e mëparshme parashikonte një pauzë 60-ditore të luftimeve dhe lirimin e pengjeve, por Tel Avivi këmbëngul në lirimin e menjëhershëm të tyre dhe çarmatosjen e grupit.
Nga 251 pengjet e rrëmbyer më 7 tetor 2023, Izraeli thotë se 47 ende mbahen në Gaza, prej të cilëve rreth 25 besohet të jenë të vdekur.
Sulmi i 7 tetorit nga Hamasi shkaktoi 1.200 viktima në Izrael dhe ndezi luftën aktuale. Që prej asaj kohe, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 64.000 viktima palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza – shifra që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.

