Në Katmandu, kryeqytetin e Nepalit, janë zhvilluar protesta masive kundër qeverisë, ku qindra qytetarë janë përplasur me forcat e rendit dhe kanë vënë zjarr disa ndërtesave shtetërore, përfshirë edhe godinën e Parlamentit, e cila u dogj nga demonstruesit.
Kryeministri KP Sharma Oli dha dorëheqjen një ditë pas përshkallëzimit të protestave, ku u raportua se 19 protestues humbën jetën gjatë përplasjeve me policinë.
Lajmi për dorëheqjen e tij u prit me entuziazëm nga protestuesit, të cilët festuan brenda godinës së Parlamentit, duke brohoritur dhe mbajtur pankarta me mbishkrimin “Ne fituam”.
Protestat nisën fillimisht si reagim ndaj vendimit të qeverisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale, por më pas u zgjeruan si shprehje e pakënaqësisë ndaj korrupsionit të lartë dhe krizës së thellë ekonomike që po përjeton vendi.