Sekretari i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, i ka cilësuar veprimet e fundit të Rusisë si “të rrezikshme, të pamatura dhe të pashembullta”.
Healey njoftoi se u ka kërkuar forcave të armatosura britanike të shqyrtojnë mënyra për të forcuar mbrojtjen ajrore të NATO-s mbi Poloninë, pas një incidenti të rëndë që përfshiu shkeljen e hapësirës ajrore të vendit nga Rusia.
“Mbrëmë, Putini arriti një nivel të ri armiqësie ndaj Evropës”, deklaroi ai.
Sipas Healey, u raportua për një shkelje serioze të hapësirës ajrore polake, aq të thellë sa që Aeroporti i Varshavës u mbyll, ndërsa avionët luftarakë të NATO-s ndërhynë për të rrëzuar dronë rusë.
“Ky është veprimi i parë mbrojtës i këtij lloji që prej nisjes së sulmit në shkallë të plotë të Putinit ndaj Ukrainës,” theksoi më tej sekretari britanik.