Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar shtypja e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor.
Sipas KQZ-së, shtypja po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.
“Ky proces po zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e një delegacioni të KQZ-së të udhëhequr nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, me pjesëmarrjen e anëtarëve Alban Krasniqi dhe Muharrem Nitaj, si dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së”, thuhet në njoftim.
Përveç fletëvotimeve, do të shtypen edhe broshura me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.
Në fazën e parë janë duke u shtypur fletëvotimet për votimin jashtë Kosovës, për 43,993 shtetas të Kosovës, të cilat do t’u dërgohen përmes postës. Më pas do të vazhdohet me shtypjen e fletëvotimeve për procesin e votimit brenda vendit.
Në mbledhjen e mbajtur më 7 shtator, KQZ mori vendim që për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar komune të shtypen 1,800,410 fletëvotime, dhe po aq për zgjedhjet për kuvendet komunale. Ky numër përfshin fletëvotimet për:
vendvotimet e rregullta,
votimin me kusht,
votimin e personave me nevoja të veçanta,
fletëvotimet rezervë,
dhe votimin me postë.
Në këtë proces zgjedhor, do të shtypen 13% apo 268,688 fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas listës së certifikuar nga KQZ është 2,069,098 votues.
Sipas të dhënave, numri i votuesve brenda Kosovës është 2,025,105, ndërsa 43,993 qytetarë janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë.