Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papranueshme ankesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kundër rregullores komunale për menaxhimin e mbeturinave, të miratuar më 5 dhjetor 2024 nga Kuvendi Komunal.
Sipas arsyetimit të saj, rregullorja nuk përbën as ligj të Kuvendit të Kosovës e as akt të Qeverisë, por një akt nënligjor lokal, jashtë fushës së kompetencës së Gjykatës.
Pavarësisht kësaj, me autorizim të kryetarit Rama, Zyra Ligjore e Komunës kishte pezulluar zbatimin e rregullores që nga shkurti 2025. Si pasojë, faturimi i mbeturinave është kryer nga vetë Komuna, ndërsa grumbullimi i tyre është deleguar tek gjashtë kompani private.
Në kundërshtim me këtë veprim, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar rregulloren si të ligjshme, ndërsa Gjykata Supreme ka urdhëruar Komunën që t’i kthejë kompanisë publike “Pastrimi” të ardhurat e mbledhura gjatë gjashtë muajve të fundit.
Vendimi i Kushtetueses forcon rolin e “Pastrimit” si operator publik në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, por njëkohësisht lë të hapur debatin politik dhe juridik mbi mënyrën e menaxhimit të këtij shërbimi jetik nga ana e Komunës së Prishtinës.
Ndërkohë, burime nga “Pastrimi” raportojnë vonesa të përsëritura në shpërndarjen e pagave për shkak të borxhit prej 2.5 milionë eurosh që Komuna ende nuk ka shlyer.