Rama shpall nesër qeverinë, Asambleja e PS nis në orën 09:30, të premten mblidhet Parlamenti

by Nexhat

Nesër në orën 09:30 kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të shpallur qeverinë e re.

Asambleja do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve dhe i pari që do të flasë është kryesocialisti Edi Rama, i cili pritet të listojë prioritetet e mandatit të 4 dhe ekipin me të cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029.

banner

Pas mbledhjes së Asamblesë, mësohet se Rama do të zhvillojë edhe mbledhjen e parë me deputetët që dolën nga vota e qytetarëve më 11 maj.

Ndërkaq, në kampin e opozitës, Partia Demokratike do të mbledhë grupin parlamentar në orën 13:00 dhe do të përcaktojë strategjinë politike në këtë fillim legjislature.

Tashmë është e qartë se deputetët demokratë do të shkojnë në Kuvend e do të shfrytëzojnë sallën e Parlamentit për të denoncuar procesin e 11 majit, i cili, sipas tyre, është farsë elektorale.

Mbledhja e parë e Parlamentit të ri do të zhvillohet më 12 shtator në orën 10:00.

Mbledhja ka karakter ceremonial, drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe i vetmi vendim që merr është ngritja e komisionit që verifikon mandatet e deputetëve.

Parlamenti rimblidhet sërish pasditen e së premtes dhe deputetët bëjnë betimin.

Në këtë seancë do të zgjidhet me votim të fshehtë kryetari i ri i Kuvendit, që vjen si propozim i Partisë Socialiste që fitoi zgjedhjet.

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, emëron Kryeministrin me propozim të partisë që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

Më pas, Kryeministri Edi Rama shkon në Parlament dhe paraqet, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Miratimi i qeverisë është një nga mbledhjet më të rëndësishme të Parlamentit dhe, tradicionalisht, debati ka zgjatur dy ditë, pasi pothuaj të gjithë deputetët diskutojnë për programin e qeverisë.

Pas votimit në Parlament, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat bëjnë betimin para Presidentit të Republikës dhe, pas kësaj, qeveria “Rama 4” nis zyrtarisht punën

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy