Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kritikuar ashpër sulmin ajror të Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Doha, Katar, duke e cilësuar si një veprim të njëanshëm që nuk i shërben interesave amerikane apo izraelite.
Në një deklaratë për gazetarët, Trump e përshkroi Katarin si një “aleat të fortë dhe mik të SHBA-së”, duke shprehur zhgënjim të thellë për mënyrën si u zhvillua operacioni.
“Nuk jam i kënaqur! Nuk është një situatë e mirë. Ne duam që pengjet të kthehen, por mënyra si ndodhi nuk është e pranueshme,” tha Trump, duke shtuar se nuk habitet më nga zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan sqaroi se vendimi për të kryer sulmin ishte marrë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, pa konsultim me administratën amerikane.
Ai theksoi se kur SHBA u njoftua për operacionin nga ushtria amerikane, ishte tepër vonë për të ndërhyrë apo ndaluar bombardimet.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment të ndjeshëm diplomatik, duke nxitur debat mbi koordinimin strategjik mes SHBA-së dhe Izraelit, si dhe rolin e Katarit si ndërmjetës në krizat rajonale.