Në qytetin e Vlorës kanë filluar punimet për ndërtimin e “Muzeut Hebraik Shqiptar”, një projekt që synon të dokumentojë dhe nderojë historinë e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht gjatë periudhës së Holokaustit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar pamje nga kantieri dhe modeli përfundimtar i muzeut.
Objekti do të ndërtohet në ambientet e ish-klubit patriotik “Labëria”, në lagjen historike ku dikur jetonte komuniteti hebre.
Rama e ka cilësuar projektin si një dëshmi ndër breza e solidaritetit shqiptar në kohë të errëta, duke theksuar se ndërtesa do të ruajë elementët origjinalë arkitektonikë, të kombinuar me teknologji moderne të ekspozimit.
Sipas medias italiane Atribune, muzeu është projektuar nga studioja izraelite Kimmel Eshkolot dhe do të përshkruajë historinë e komunitetit hebre në Shqipëri që nga periudha romake deri në ditët e sotme.
Struktura do të përfshijë:
- një ndërtesë historike të restauruar dhe zgjeruar me një pjesë të re;
- një hapësirë ekspozuese në ambient të hapur;
- dhe një zonë lidhëse për këmbësorët mes rrugëve “Perlat Rexhepi” dhe “Ceno Sharra”.
Fasada e jashtme do të ndërtohet me gur lokal dhe “gurin e Jeruzalemit”, ndërsa muret termike do të kontribuojnë në efikasitetin energjetik. Muzeu pritet të jetë një pikë referimi kulturore dhe historike, me një fond investimi prej 280 milionë lekësh.