Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se do të propozojë sanksione dhe pezullim të pjesshëm të marrëdhënieve tregtare me Izraelin, si reagim ndaj përshkallëzimit të luftës në Rripin e Gazës.
Në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e Bashkimit Evropian, mbajtur para Parlamentit Evropian në Strasburg, von der Leyen tha se “ajo që po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës” dhe se “uria e shkaktuar nga dora e njeriut nuk mund të jetë kurrë armë lufte. Për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit. Kjo duhet të ndalet”.
Komisioni Evropian pritet të propozojë:
- Sanksione ndaj zyrtarëve ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm izraelitë
- Pezullim të pjesshëm të marrëveshjes tregtare BE-Izrael
- Ndalim të pagesave bilaterale, me përjashtim të mbështetjes për muzeun Yad Vashem dhe shoqërinë civile izraelite
Von der Leyen gjithashtu njoftoi krijimin e një grupi donatorësh për palestinezët, me fokus në rindërtimin e Gazës.
Megjithatë, ajo pranoi se blloku prej 27 vendesh është thellësisht i ndarë në qasjen ndaj konfliktit, duke e bërë të pasigurt mbështetjen për masat e propozuara.
Deklarata e saj vjen një ditë pas paralajmërimit të ushtrisë izraelite për evakuimin e Qytetit të Gazës, në prag të një ofensive të gjerë për të marrë kontrollin e zonës që konsiderohet bastioni i fundit i Hamasit. Paralajmërimi u bë në të njëjtën kohë me një sulm ndaj liderëve të Hamasit në Katar, ku negociatat për armëpushim kishin ngecur.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 64.000 viktima palestineze, ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të territorit.