Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan “përdorim politik të burimeve të sigurisë” nga Presidenca e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gashi ka thënë se citimi i burimeve të sigurisë për qëllime politike jo vetëm që përbën shantazh ndaj mediave, por paraqet edhe rrezik serioz për sistemin e sigurisë në vend.
“Përveçse shantazh ndaj medias, citimi i burimeve të sigurisë nga Presidenca për qëllime politike momentale është i dëmshëm për procesin e mbledhjes së informacionit dhe për hetimet. Ky veprim dëmton sistemin e sigurisë dhe krijon rrezik të madh reputacional për institucionet shtetërore në afat të gjatë, sidomos në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, veprime të tilla minojnë besimin në institucionet shtetërore dhe vënë në pikëpyetje seriozitetin e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë./Informim.net