Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur sot grupin parlamentar të PD-së, ku ka folur për formimin e qeverisë së re dhe ka rikthyer sulmet ndaj ministrave të qeverisë, duke akuzuar veçanërisht Belinda Ballukun, të cilën e quajti sërish si “Lubi” për aferat korruptive ku ajo është e përfshirë.
Berisha theksoi rëndësinë e rolit të demokratëve në parlament dhe përgjegjësinë që kanë si përfaqësues të qytetarëve, duke shtuar se pavarësisht sfidave, misioni i tyre është të luftojnë kundër “narkoregjimit” dhe “diktaturës autoritare” që sipas tij ka uzurpuar të gjitha pushtetet në vend.
“Nëse ne hyjmë në mision, si misionarë të bëjmë gjithçka për të shpëtuar Shqipërinë nga ky narkoregjim, atëherë do justifikojmë besimin e atyre që na kanë sjellë këtu,” tha Berisha, duke e përshkruar parlamentin si një “strofull kriminelësh” dhe duke përmendur emra të grupeve kriminale që sipas tij kanë pushtuar institucionet.
Ai u zotua se PD do qëndrojë në parlament si zëdhënës i qytetarëve dhe do t’u përgjigjet pritshmërive të demokratëve, të cilët sipas tij janë të zhgënjyer dhe të dëshpëruar, por që besojnë në misionin e tyre për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.
Në fjalën e tij, Berisha sulmoi edhe luksin dhe korrupsionin e ministrave të qeverisë, duke krahasuar veshjet e tyre me ato të qeverisë komuniste të Nepalit. “Spote kundër korrupsionit të qeverisë komuniste të Nepalit nxirrnin syze 500 euro, këpucë 1 mijë euro, xhaketa 700 euro, por asgjë nga këto nuk kushton sa çantat e Lubisë,” u shpreh Berisha.
Ai përfundoi duke thënë se vendimi për të hyrë në parlament dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm, dhe se beteja kundër regjimit do të zhvillohet në të gjitha hapësirat e mundshme