Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë refuzuar një kërkesë të paraqitur nga Rexhep Selimi, i cili kërkonte vendosjen e garancive dhe kufizimeve gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e mbrojtjes. Kërkesa synonte të ndalonte palët jothirrëse nga pyetjet që lidhen me veprimet apo sjelljet e të akuzuarve të tjerë që nuk kanë thirrur dëshmitarin në fjalë.
Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, trupi gjykues ka vlerësuar se rregullat për pyetjet e palëve jothirrëse janë të përcaktuara qartë në Rregulloren e Procedurës dhe Provave, si dhe në urdhrin për zhvillimin e gjykimit.
Zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, sqaroi se:
“Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me besueshmërinë e tyre dhe, në përgjithësi, janë të autorizuara të pyesin për aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.”
Trupi gjykues ka marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga mbrojtja e Selimit, por ka vlerësuar se në këtë fazë të procesit do të ishte e parakohshme të vendosen kufizime shtesë, duke qenë se nuk ka indikacione nëse Prokuroria do të kërkojë pranimin e provave përmes dëshmitarëve të mbrojtjes.
Gjykata ka njoftuar se çdo kundërshtim ndaj pyetjeve të palëve do të trajtohet në momentin e parashtrimit të tyre, në përputhje me procedurat e përcaktuara.
Ndërkohë, më 10 shtator, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për të shtuar një deklaratë dëshmitari në listën e provave materiale. Një ditë më parë, janë pranuar disa akt-ekspertiza nga mbrojtja e viktimave dhe një provë materiale nga mbrojtja, ndërsa një tjetër provë është refuzuar si jorelevante, pasi dëshmitari nuk ishte në gjendje të jepte kontekst për të.
Dhomat e Specializuara në Hagë mbajnë informime javore çdo të enjte në orën 14:30 përmes platformës “Zoom”, ku ofrojnë përditësime mbi ecurinë e procedurave gjyqësore dhe veprimtaritë institucionale.