Ushtarët e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë nisur vendosjen e shenjave të reja paralajmëruese përgjatë Vijës Kufitare, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e kalimeve të paqëllimshme në zonat malore dhe pyjore.
Sipas njoftimit zyrtar të KFOR-it, këto shenja shërbejnë për të identifikuar qartë zonën e operacioneve të misionit dhe për të ndihmuar në orientimin e qytetarëve dhe institucioneve, duke reduktuar rrezikun e incidenteve në terren.
“KFOR do të vazhdojë përpjekjet për të promovuar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit në Kosovë,” thuhet në deklaratën e misionit. Kjo përfshin patrullime të rregullta në veri të vendit dhe përgjatë VKA-së.
Misioni KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, duke kontribuar në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe të pandërprerë.
KFOR operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të rolit të tyre si përgjegjës për sigurinë.