Deputetët britanikë e qortuan kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer për pritjen e presidentit izraelit të mërkurën “ndërsa fëmijët vdesin urie” në Gaza.
Starmer u takua me Isaac Herzog në Londër për bisedime pavarësisht dhjetëra politikanëve, përfshirë edhe nga partia e tij, që vinin në dyshim se si iu lejua të hynte në vend.
Gjatë pyetjeve të kryeministrit në parlament, udhëheqësi i Partisë Kombëtare Skoceze në Westminster, Stephen Flynn, e dënoi me zemërim Starmerin për takimin.
«Gaza është një varrezë», tha ai. «Çfarë do të thotë për këtë kryeministër fakti që ai do ta strehojë këtë njeri ndërsa fëmijët vdesin urie?»
Deputeti tha se Starmer kishte mirëpritur në shtëpinë e tij një burrë që “bëri thirrje për ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez dhe që nënshkroi predhat e artilerisë që shkatërruan shtëpitë, familjet dhe miqtë e tyre”.
Ai tha se Starmer po zgjidhte të takohej me Herzogun në vend që t’i jepte fund shitjeve të armëve Izraelit dhe të zgjeronte sanksionet kundër vendit në përgjigje të luftës së tij që ka vrarë dhjetëra mijëra civilë.
Kryeministri u përgjigj, duke thënë se “nuk do të hiqte dorë nga diplomacia” në përpjekjen për të sjellë paqe në rajon.
Qeveria britanike është akuzuar se nuk ka ndërmarrë masa domethënëse kundër Izraelit për luftën, të cilën shumë akademikë, vëzhgues dhe qeveri e përshkruajnë si gjenocid.
Starmer ka kërcënuar të njohë një shtet palestinez nëse Izraeli nuk përmbush disa kushte mbi konfliktin. Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione gjithashtu ndaj anëtarëve ekstremistë të qeverisë izraelite dhe ka pezulluar licencat e eksportit të armëve për disa armë të përdorura në Gaza.
Megjithatë, ka thirrje të përhapura në të gjithë spektrin politik për veprime më të forta.
Gjashtëdhjetë deputetë dhe lordë i bënë thirrje qeverisë t’i mohojë Herzogut hyrjen në Mbretërinë e Bashkuar dhe thanë se vizita e tij rrezikonte që qeveria të ishte bashkëfajtore në gjenocidin në Gaza, sipas një traktati të OKB-së.
Lideri i Partisë së Gjelbër, Zack Polanski, e akuzoi Herzogun se është “bashkëpunëtor ndërsa qeveria izraelite është angazhuar në kryerjen e gjenocidit në Gaza”.
Ai tha se presidenti izraelit duhet të pritet me “pranga dhe jo me shtrëngime duarsh” kur të mbërrijë në takim.
Herzog ka thënë më parë se nuk ka “asnjë civil të pafajshëm në Gaza” dhe “është një komb i tërë përgjegjës”.
Në dhjetor 2023, ai nënshkroi një predhë artilerie me fjalët “Unë mbështetem tek ty” përpara se ajo të qëllohej në Gaza si pjesë e luftës që filloi në tetor 2023.