Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar vendimin e Qeverisë në detyrë për të dërguar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, duke e cilësuar atë si një vendim “të pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar e institucional”.
“Përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime, të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani,” thuhet në reagimin e LDK-së.
Pas përfundimit të takimeve në Bruksel, Bislimi reagoi ndaj deklaratës së LDK-së, duke përdorur një gjuhë të ashpër. Ai e quajti “budallallëk” reagimin e partisë opozitare, duke theksuar se mandatin për të udhëhequr me dialogun e ka nga Qeveria, dhe vetëm ajo mund t’ia tërheqë.
“Pak është interesant që ky budallallëk ka mbërritur edhe në Bruksel. Unë jam zëvendëskryeministër në detyrë i Qeverisë, i ngarkuar edhe me temën e dialogut. Mandatin ma ka dhënë Qeveria dhe mundet me ma marrë Qeveria, nuk ma ka dhënë LDK, as nuk mund të ma marrë LDK. Çdo gjë tjetër është e palogjikshme – ngjashëm me shumicën e qëndrimeve të këtij subjekti politik dhe subjekteve të tjera që po i hasim muajt e fundit,” tha Bislimi.