Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Pratipati.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u theksua domosdoshmëria për respektimin e masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese dhe pritja e aktgjykimit përfundimtar.
Në 24-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj popullit amerikan.
“Kosova qëndron krah për krah me popullin amerikan – sot, nesër dhe gjithmonë – në mbrojtje të paqes dhe për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, thuhet në njoftim.
Në prag të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidentja dhe e Ngarkuara me Punë diskutuan edhe për aktivitetet e planifikuara gjatë kësaj jave, takimet dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe pritshmëritë nga pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar.