Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas pezullimit të Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë zhvillim si “pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial”.
Në një reagim publik, Abdixhiku kritikoi ashpër udhëheqjen aktuale të vendit, të cilën e akuzoi për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe për krijim të krizave të vazhdueshme politike.
“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës,” u shpreh Abdixhiku.
Ai u bëri thirrje qytetarëve për unitet politik e shoqëror, duke theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për rikthim në rrugën euroatlantike.
“Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë,” tha kreu i LDK-së.
Në fund, Abdixhiku garantoi se LDK do të jetë “kujdestare e rrugës euroatlantike të Kosovës” dhe se do të punojë për të forcuar miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara.