Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot mbi “Deklaratën e Nju-Jorkut”, një rezolutë që synon të ringjallë zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, duke përjashtuar Hamasin nga çdo rol në të ardhmen politike të Gazës.
Dokumenti, i paraqitur nga Franca dhe Arabia Saudite, përmban një qëndrim të qartë kundër Hamasit. Në tekst theksohet se grupi duhet të lirojë të gjithë pengjet dhe dënohen sulmet e 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, të cilat lanë qindra viktima.
Rezoluta, e cila tashmë gëzon mbështetjen e Ligës Arabe dhe është nënshkruar nga 17 shtete anëtare të OKB-së, kërkon gjithashtu veprim të koordinuar ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të hapur rrugën e një marrëveshjeje paqësore të qëndrueshme.
Në deklaratë thuhet qartë se Hamasi duhet të heqë dorë nga pushteti në Gaza dhe të dorëzojë armët tek Autoriteti Palestinez, duke hapur rrugën për themelimin e një shteti palestinez sovran dhe të pavarur.
Izraeli e ka kundërshtuar ashpër nismën, duke e akuzuar OKB-në për qasje të njëanshme dhe për fokus disproporcional në kritikat ndaj tij, ndërsa thekson mungesën e dënimit të mjaftueshëm për sulmet e Hamasit.
Rezultati i votimit pritet të shërbejë si një tregues i qëndrimeve globale ndaj perspektivës së zgjidhjes me dy shtete, në një kohë kur lufta në Gaza vazhdon të marrë jetë dhe të tensionojë rajonin.

