Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, e ka nisur mëngjesin e së premtes me një mesazh të veçantë nga Kosova.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shpërndarë disa fotografi të ushtarëve shqiptarë që janë pjesë e misionit të KFOR-it, teksa ishin në rrugëtim drejt Kosovës.
“Mirëmëngjes nga Kosova me djemtë dhe vajzat tona në misionin e KFOR-it, ku çdo ditë mbajnë lart flamurin dhe vlerat tona në shërbim të paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Vengu.
Ministri ka vlerësuar rolin e forcave të armatosura shqiptare në ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale, duke nënvizuar përkushtimin e tyre në misionet ndërkombëtare si KFOR-i në Kosovë.