Prattipati e zhgënjyer me Albin Kurtin: Paralajmëron sfidë serioze për partneritetin me Kosovën

by engel

Deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese kanë shkaktuar reagim të fortë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. E ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati, ka vlerësuar se sulmet ndaj institucionit më të lartë juridik në vend përbëjnë rrezik për stabilitetin dhe tensionojnë marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka thënë Prattipati për KOHËN.

banner

Ajo ka theksuar se çdo veprim që dëmton stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit shihet si “sfidë serioze” për partneritetin mes Kosovës dhe SHBA-së, duke lënë të hapur mundësinë e reagimeve të mëtejshme nga ana e Uashingtonit.

Deklaratat e Kurtit erdhën në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ai e akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po funksionon si “hije politike e opozitës”.

Reagimi i tij pasoi vendimin e këtij institucioni për vendosjen e masës së përkohshme që ndalon deputetët të ndërmarrin veprime dhe të zhvillojnë procedura për formimin e qeverisë së re deri në fund të shtatorit.

Kurti e ka konsideruar këtë vendim si bllokim të punës së Kuvendit dhe akuzoi Kushtetuesen për ngadalësi në procedura. Ai shtoi se përbërja e gjykatës, e zgjedhur në vitin 2018, po vepron ende sipas logjikës politike të asaj kohe, pavarësisht se Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet në tri palë radhazi.

Polemikat e fundit kanë rikthyer në qendër të debatit rolin e Gjykatës Kushtetuese si arbitri më i lartë i jetës institucionale në Kosovë, ndërkohë që presioni ndërkombëtar për stabilitet politik pritet të shtohet në javët në vijim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy