Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar veprime sindikale nëse Qeveria e Kosovës nuk merr masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave për punonjësit e arsimit.
Kryetari i sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha se greva nuk përjashtohet si opsion, nëse nuk arrihet një marrëveshje përmes dialogut institucional.
Jasharaj kritikoi mungesën e komunikimit me institucionet, duke theksuar se SBASHK-u është i gatshëm për dialog, por edhe për veprime të drejtpërdrejta.
“Në këtë situatë jemi nga rastet e rralla në Kosovë ku nuk ka as marrëveshje kolektive, as dialog e as kontratë kolektive,” tha ai, duke nënvizuar se kontrata kolektive është kërkesa më urgjente e sindikatës.
SBASHK-u kërkon:
- Rritje të pagave për mësimdhënësit, në përputhje me standardet rajonale
- Përmirësim të kushteve në shkolla, duke përfshirë pajisje moderne dhe ambiente të përshtatshme
- Sigurimin me kohë të teksteve shkollore për klasat 1–9, që të jenë në dispozicion që në javën e parë të shtatorit
Jasharaj tha se mësimdhënësit janë të përkushtuar, por me kushtet aktuale nuk mund të realizojnë objektivat arsimore.
Ai kërkoi që Qeveria të ndajë mjete për modernizimin e shkollave, duke e cilësuar të papranueshme që ende përdoren “shpuza e shkumësa” në vend të teknologjisë bashkëkohore.
Sindikata është në pritje të formimit të institucioneve të reja, veçanërisht të Ministrisë së Arsimit, për të nisur negociatat për kontratën kolektive.
Por në mungesë të reagimit, SBASHK-u paralajmëron se do të ndërmarrë veprime sindikale, përfshirë grevën, për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të arsimit.