Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot në një takim zyrtar komandantin e ri të Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it (RC-West), kolonel Lorenzo Mangia.
Gjatë këtij takimi njohës, të dy palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe KFOR-it, me fokus në sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Kryetari Totaj e cilësoi takimin si të frytshëm dhe miqësor, duke vlerësuar lart rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë që nga paslufta.
“Ky partneritet i ndërsjellë mbetet i fortë dhe i sinqertë,” deklaroi Totaj, duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm të trupave të KFOR-it në vend.