Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar ndaj pezullimit të Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një regres të rrezikshëm në marrëdhëniet me aleatin kryesor të vendit.
“Ky pushtet po e çon Kosovën drejt degradimit total. Kosova dikur kishte dyert e hapura në Shtëpinë e Bardhë. Sot, në vend të forcimit të partneritetit strategjik me SHBA-në, përballemi me suspendim të dialogut dhe ftohje të raporteve,” tha Zemaj.
Ai kritikoi qeverinë për, siç u shpreh, sulme ndaj Gjykatës Kushtetuese, mediave dhe shoqërisë civile, duke theksuar se një vend demokratik nuk mund të ecë përpara kur pushteti tenton të mbyllë zërat kritikë.
“Populli i Kosovës nuk e meriton një lidership që shkatërron besimin, dobëson institucionet dhe rrezikon partneritetet strategjike. Koha është për reflektim dhe përgjegjësi,” përfundoi Zemaj.