Në disa qytete të Serbisë janë mbajtur tubime të njëkohshme të organizuara nga mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS) kundër bllokadave, si dhe nga qytetarë dhe studentë që mbështesin protestat dhe bllokadat aktuale në universitete dhe institucione publike. Situata është karakterizuar nga përplasje sporadike, tensione dhe incidente të shumta.
Në të gjithë Serbinë janë mbajtur tubime të njëkohshme pro dhe kundër bllokadave që po zhvillohen prej javësh në vend. Mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS) organizuan protesta nën moton “Qytetarët kundër bllokadave”, ndërkohë që qytetarë, studentë dhe grupe të shoqërisë civile protestuan në mbështetje të bllokadave dhe kundër qeverisë.
Në disa qytete situata doli nga kontrolli dhe u shënuan incidente mes grupeve të kundërshtarëve politikë, ndërsa policia ndërhyri në disa raste për të ndarë turmat dhe për të shmangur përleshjet direkte.
Në Beograd, pranë Fakultetit të Shkencave Organizative (FON), policia ndërhyri me forcë ndaj qytetarëve që protestonin, duke i shtyrë dhe duke mos i lejuar të afrohen pranë kolonës së mbështetësve të SNS-së, mes të cilëve ndodhej edhe presidenti Aleksandar Vuçiq.
Në Kraljevë u raportua për një sulm fizik nga një simpatizant i SNS-së ndaj një të riu, çka shkaktoi reagim të ashpër nga ana e protestuesve që hodhën shishe, njëra prej të cilave goditi një mbështetës të pushtetit në kokë, raportojnë mediat serbe.
Sipas këtyre mediave, tensione pati edhe në Novi Sad, ku policia bllokoi Urën e Varadinit për të ndarë dy grupet, ndërsa mbështetësit e SNS-së marshonin drejt Petrovaradinit. Në Gornji Milanovac, qytetarët që kundërshtonin tubimin e SNS-së i bllokuan ata nga të dyja anët dhe më pas i qëlluan me vezë. Edhe në Çaçak ndodhën përplasje të ngjashme, ku protestuesit pro-studentëve hodhën vezë dhe shishe ndaj mbështetësve të SNS-së, ndërsa xhandarmëria ndërhyri për të mos lejuar përshkallëzimin.
Në qytetin e Nishit, qytetarët protestues ngjitën në ambientet e partisë SNS “certifikata vdekjeje” simbolike, duke aluduar në fundin politik të kësaj force politike për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Në Zrenjanin dhe Kragujevac u shënuan gjithashtu përballje verbale dhe tensione, me prezencë të shtuar të forcave të policisë që qëndruan mes grupeve për të ruajtur rendin.
Ndërkohë, ndihmësdrejtori i Policisë, Vladan Radosavljeviq, deklaroi se në mbarë vendin u mbajtën 125 tubime të regjistruara nga mbështetësit e SNS-së, me pjesëmarrjen e më shumë se 144 mijë qytetarëve, dhe se, sipas tij, nuk pati asnjë shkelje të rendit publik apo persona të lënduar.
Pavarësisht kësaj deklarate, media dhe dëshmitarë nga terreni raportuan për incidente të shumta, tensione të larta dhe sjellje agresive nga të dyja palët.
Tubimet dëshmuan një ndarje të thellë në shoqërinë serbe, ku qytetarët ndodhen përballë një klime të rënduar politike, ndërsa polarizimi mes pushtetit dhe opozitës vazhdon të thellohet