Me konstituimin e parlamentit të ri, hapet rruga për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, me qëllim zbatimin e skemës së re të komisioneve parlamentare, të propozuar nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste.
Të martën, pritet që deputetët të zhvillojnë dy seanca të ndara parlamentare. Gjatë seancës së paradites, do të ngrihet Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, si dhe do të votohet për përbërjen e re të komisioneve parlamentare
Po të martën, Këshilli do të mblidhet për të miratuar projekt-rregulloren e re, e cila parashikon ndryshime në strukturën e komisioneve të përhershme parlamentare.
Në seancën e dytë të pasdites, pritet që Kuvendi të votojë zyrtarisht ndryshimet në Rregullore.
Seancave plenare do t’u paraprijë një takim që zhvillohet të hënën, ku kryetari i ri i Kuvendit, Niko Peleshi, do të mblidhet me krerët e grupeve parlamentare për të dorëzuar propozimet për përbërjen e kryesisë së Byrosë së Kuvendit, sekretariateve, Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, Këshillit për Legjislacionin, si edhe për delegacionet e përhershme parlamentare.
Java e ngarkuar parlamentare do të vijojë edhe të enjten dhe të premten, me paraqitjen e programit të ri qeverisës nga kryeministri Rama, ndjekur nga debati parlamentar dhe votimi për miratimin e kabinetit të ri qeveritar.
Pas votëbesimit në Kuvend, kabineti i ri do t’i drejtohet Presidentit për betimin, duke përmbyllur kështu të gjitha procedurat zyrtare përpara se ministrat e qeverisë “Rama 4” të nisin detyrën.