Përfaqësuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Eugen Cakolli, ka reaguar pas deklaratave të nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi shoqërinë civile për mungesë reagimi ndaj gjuhës fyese dhe nxitëse të përdorur nga Lista Serbe në hapjen e fushatës zgjedhore.
Cakolli thekson se fushatat zgjedhore të Listës Serbe, pothuajse gjithmonë, janë karakterizuar nga retorikë provokuese dhe gjuhë fyese ndaj institucioneve të Kosovës. Këtë herë, sipas tij, kjo u bë edhe më e dukshme përmes një baneri me emrin “Milan”, që, siç thotë ai, lidhet drejtpërdrejt me kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Sipas Cakollit, mënyra se si ishte paraqitur emri në atë baner kishte për qëllim të krijonte dykuptimësi, duke u justifikuar më pas se bëhej fjalë për kandidatin e Listës Serbe për kryetar komune, i cili mban të njëjtin emër.
“Kjo çështje mund dhe duhet të adresohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Atje, Lista Serbe ose do të detyrohet të distancohet publikisht nga emri i Radoiçiqit, duke e lidhur qartë përdorimin e emrit ‘Milan’ me kandidatin e tyre, ose do të gjobitet rëndë. Ose edhe të dyja bashkë”, ka shkruar Cakolli.