Shpërngulja e nxënësve nga Kosova – 629 largime gjatë vitit shkollor 2024/25

by engel

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka publikuar të dhënat zyrtare për shpërnguljen e nxënësve gjatë vitit shkollor 2024/25, duke konfirmuar se 629 nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën janë larguar nga Kosova bashkë me familjet e tyre.

Në krye të listës qëndron komuna e Gjakovës me 89 nxënës më pak, e ndjekur nga Malisheva me 84, Gjilani me 74 dhe Prizreni me 66. Ndërkohë, Prishtina ka regjistruar vetëm 9 largime, duke reflektuar një ndikim më të kufizuar të këtij fenomeni në kryeqytet.

banner

Drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani, konfirmon se rastet janë sporadike, por të ndjeshme. Ai thekson se përveç nxënësve, ka pasur edhe lëvizje të stafit arsimor, me tre mësimdhënës që kanë emigruar jashtë vendit. “Nuk është numër i madh, por është një lloj shqetësimi në vete. Megjithatë, është zgjedhje e tyre dhe uroj që ky numër mos të rritet”, tha Osmani.

Ekspertët e arsimit e lidhin këtë trend me faktorë të thellë socio-ekonomikë. Sipas Argjend Osmanit, njohës i çështjeve arsimore, emigrimi i familjeve është pasojë e paqëndrueshmërisë ekonomike, mungesës së sigurisë dhe perspektivës së kufizuar për të rinjtë. “Kjo është një plagë që do të na përcjellë edhe në vitet e ardhshme dhe kërkon përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga Qeveria”, tha ai.

Disa komuna kanë mbetur pothuajse të paprekura nga ky fenomen. Në Klinë është raportuar vetëm një rast, ndërsa në Junik, Obiliq dhe Novobërdë nuk është regjistruar asnjë shpërngulje.

Ky trend ngre pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e sistemit arsimor dhe mbi nevojën për politika më të fuqishme që adresojnë shkaqet e emigrimit familjar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy