Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë, ku dy persona të dyshuar kanë shtënë në drejtim të një veture në të cilën ndodhej një mashkull kosovar. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes palëve.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Të dyshuarit janë larguar menjëherë pas të shtënave në drejtim të panjohur, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
“Nadakovc, Vushtrri 13.09.2025-23:00. Raportohet se dy të dyshuar meshkuj kosovar pas një mosmarrëveshje të mëhershme, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së viktimës mashkull kosovar dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja. Nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Prokuroria është vënë në dijeni për rastin, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve. Policia u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.