Latifi (AAK): Me 97% të premtimeve të përmbushura, kërkoj besimin për një mandat të ri në krye të Rahovecit

by informim peje

Kryetari i Komunës së Rahovecit dhe kandidati i AAK-së për një mandat të ri në zgjedhjet e 12 tetorit, Smajl Latifi, ka deklaruar se bujqësia dhe përkrahja për bujqit mbeten ndër prioritetet kryesore edhe në periudhën e ardhshme katërvjeçare.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Latifi u shpreh i bindur për një fitore tjetër, falë, siç tha ai, punës së palodhshme gjatë mandateve të kaluara dhe projekteve që janë realizuar e që do të vazhdojnë.

banner

“Nëse e marrim si referencë Institutin kredibil GAP, jemi Komuna e parë për sa i përket mbajtjes së fjalës dhe përmbushjes së premtimeve. Nga gjithsej 84 premtime të dala nga programi ynë qeverisës, 66 janë përmbushur plotësisht, 7 janë në përmbushje e sipër, 9 janë të nisura dhe vetëm 2 janë të pa filluara. E shprehur në përqindje, kjo përkthehet në 87% të premtimeve të përmbushura, dhe me ato të nisura, arrijmë në 97%,” theksoi Latifi.

Ai shtoi se ky rezultat është një bazë e fuqishme për të kërkuar edhe një mandat të ri katërvjeçar, duke theksuar se “puna nuk ndalet”.

Latifi veçoi edhe sektorin e bujqësisë si prioritet absolut:

“Bujqësinë dhe bujqit i kemi përkrahur vazhdimisht, përmes subvencioneve të ndryshme — qoftë në inpute bujqësore, plehra kimikë apo preparate kundër sëmundjeve të hardhisë së rrushit. Gjatë këtij mandati kemi ndihmuar rreth 3,200 fermerë të regjistruar në komunën tonë. Synojmë të rrisim mbështetjen për vreshtarët dhe pemëtarët në mandatin e ardhshëm.”

Një tjetër prioritet i kryetarit Latifi mbetet mbrojtja e mjedisit:

“Do të investojmë në infrastrukturën mjedisore — në kanalet e ujitjes, kullimit të tokave bujqësore, rregullimin e shtretërve të përrenjve dhe hapjen e 150 kilometrave rrugë të reja fushore. Po ashtu, do të kontraktojmë një kompani të licencuar për spërkatjen e kulturave bujqësore, veçanërisht për vreshtat dhe perimet.”

Sa i përket shëndetësisë, Latifi tha se synojnë të avancojnë shërbimet dhe të rrisin efikasitetin:

“Do të zgjerojmë shërbimet shëndetësore dhe do të forcojmë ekipet mobile për vizita në shtëpi. Do të vazhdojmë subvencionimin për lindjet në maternitetin e Rahovecit – nga 500 euro për çdo lindje, tani do ta rrisim në 750 euro.”

Ai shtoi se Komuna do të përqendrohet edhe në përmirësimin e infrastrukturës publike:

“Kemi realizuar digjitalizimin e rrjetit të ndriçimit publik dhe do të modernizojmë fushat sportive ekzistuese sipas standardeve të UEFA-s.”

Latifi përfundoi duke shprehur bindjen për një tjetër fitore në zgjedhjet e 12 tetorit:

“Qytetarët e vlerësojnë punën tonë. Kemi krijuar një situatë të favorshme falë projekteve të realizuara dhe përkushtimit tonë të pandalshëm. Këtë fushatë do të komunikojmë intensivisht me qytetarët dhe do ta prezantojmë në detaje vizionin tonë për katër vitet e ardhshme.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy