Arsenal ka startuar me fitore edicionin e ri të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur 2-0 Athletic Bilbaon në “San Mamés”. Ky ishte suksesi i gjashtë radhazi i londinezëve ndaj skuadrave spanjolle.
Pjesa e parë ishte e balancuar, me Athletic që rrezikoi përmes Adama Boiro-s, ndërsa për Arsenal-in shanset më të mira i pati sulmuesi Viktor Gyökeres, por pa arritur të shënojë.
Në pjesën e dytë, kur ndeshja dukej e bllokuar, trajneri Mikel Arteta gjeti zgjidhjen nga stoli. Dy zëvendësues, Leandro Trossard dhe Gabriel Martinelli, kombinuan për golin e parë, me brazilianin që shënoi menjëherë pas hyrjes në lojë. Pak minuta më vonë, rolet u ndërruan: Martinelli asistoi dhe Trossard vulosi rezultatin 2-0.
Me këtë fitore, Arsenal zgjeron në nëntë ndeshje rekordin pa humbje në debutimet evropiane, ndërsa Athletic regjistron humbjen e dytë radhazi në shtëpi.
Union Saint-Gilloise shokon PSV-n
Sezonin i ri në Ligën e Kampionëve, ka nisur me surprizën e skuadrës belge, Union Saint-Gilloise.
Kampionët e Belgjikës, e kanë mposhtur 3-1 kampionin e Holandës, PSV Eindhoven, në debutimin historik të tyre në Ligën e Kampionëve.
Sfida e zhvilluar në Eindhoven solli rikthimin në formacion të Armando Obispos, i cili javën e kaluar u detyrua të largohej nga fusha me një lëndim në kokë. Krahas tij, nga minuta e parë u aktivizuan edhe Ryan Flamingo dhe Yarek Gasiorowski.
Nga ana tjetër, belgët u paraqitën pa sulmuesin Raul Florucz, i pezulluar për arsye disiplinore, si dhe pa mbrojtësin anglez Ross Sykes. Vendin e tyre në formacion e zunë Kevin Rodriguez në krahun e djathtë të sulmit dhe Christian Burgess në mbrojtje.
Kjo ndeshje shënoi debutimin e parë të Union Saint-Gilloise në elitën e futbollit evropian, plot 128 vjet pas themelimit të klubit, dhe rezultati i arritur në Eindhoven konsiderohet një nga fitoret më të mëdha në historinë e tyre.
Golat për fitoren e skuadrës belge i realizuan David (9’), Hadje (39’) dhe Allister (81’), kurse, golin e vetëm për skuadrën holandeze e shënoi Van Bommel (90’)

