Presidenti i Bayern Munich, Herbert Hainer, ka pranuar se skuadra bavareze nuk hyn si favorite për të fituar Champions League këtë sezon, duke e parë veten më shumë si “outsider” në garën për trofeun më të madh evropian për klube.
“Forca financiare e Premier League është një fakt, dhe kjo e bën më të vështirë për Bayernin. Klubet angleze kanë investime miliardëshe dhe ne duhet të përballemi me këtë realitet,” – u shpreh Hainer në një intervistë për Münchner Merkur/tz, pak ditë para ndeshjes debutuese në fazën e grupeve ndaj Chelsea-t, kampionit aktual botëror për klube.
Deklarata e tij shkon në të njëjtën linjë me atë të Uli Hoeneß, i cili në fillim të muajit e kishte krahasuar rolin e Bayernit në Champions League me atë të Hoffenheim-it, duke theksuar vështirësinë për të konkurruar me klubet më të pasura të Anglisë.
Megjithatë, Hainer nuk e përjashton mundësinë e një surprize. “Kemi një skuadër të mirë dhe në muajt e ardhshëm do të rikthehen lojtarët e dëmtuar. Nëse gjithçka funksionon si duhet, kjo skuadër mund të arrijë shumë. Por për të fituar Champions-in nevojitet edhe ai ‘fati i vogël’ që gjithmonë bën diferencën,” – shtoi ai.
Sa i përket objektivave kryesorë, presidenti bavarez theksoi se fokusi kryesor i klubit është rikthimi i dominimit në Gjermani. “Synimi ynë është titulli kampion në Bundesliga dhe rikthimi në finalen e Kupës në Berlin, të cilën duam ta fitojmë,” – u shpreh Hainer.
Bayern Munich nuk e ka fituar Kupën e Gjermanisë që nga viti 2020, kur realizoi tripletën historike. Në pesë edicionet e fundit, bavarezët janë eliminuar gjithmonë përpara finales, duke mbetur thjesht spektatorë në ndeshjen për trofe.

