Vendosja e çantës në tokë është një gjest i përditshëm që shumë prej nesh e bëjnë pa e menduar shumë. Megjithatë, ky zakon i thjeshtë dhe në dukje i padëmshëm mund të ketë disa pasoja negative, që shkojnë përtej rrezikut për ta ndotur çantën apo supersticionit që paratë mbarojnë kur çanta lihet në tokë.
Një nga arsyet kryesore pse nuk këshillohet të vendosësh çantën në tokë lidhet me higjienën. Dyshemetë, sidomos në vende publike si restorante, tualete, mjete transporti dhe zyra, janë shpesh grumbullues bakteresh, virusesh dhe patogjenësh të tjerë. Kur çanta vendoset në tokë, këta mikrobe mund të kalojnë në sipërfaqen e saj. Më pas, kur çanta vihet mbi një tavolinë apo tryezë pune, këta mikroorganizma mund të ndotin sipërfaqe të tjera, duke rritur rrezikun e sëmundjeve.
Një studim i vitit 2016 zbuloi rreth 10.000 lloje të ndryshme bakteresh mbi çanta, një numër që tejkalon edhe atë të një WC-je.
Timothy McHugh, profesor i mikrobiologjisë mjekësore dhe drejtor i Qendrës së Mikrobiologjisë Klinike në University College London, shpjegoi se “materialet natyrore si lëkura kanë më shumë gjasa të strehojnë organizma krahasuar me ato sintetike si plastika, pasi përmbajnë më shumë lëndë ushqyese dhe ofrojnë kushte më të favorshme për jetën dhe zhvillimin e baktereve”.
Charles Gerba, mikrobiolog dhe profesor i virologjisë në Universitetin e Arizonës, e thekson edhe më tej: “Veçanërisht pjesa e poshtme e jashtme është jashtëzakonisht e ndotur, pasi njerëzit i vendosin ato në dyshemetë e tualeteve publike ose mbi sipërfaqe të kontaminuara nga spërkatjet e lavamanëve. Ne kemi zbuluar një sasi të konsiderueshme bakteresh fekale, përfshirë E. coli”.
Edhe pse rreziqet për shëndetin nga vendosja e çantës në tokë nuk janë tepër të larta, është e rëndësishme të mos nënvlerësohet roli i praktikave të mira higjienike. Ekspertët sugjerojnë disa masa të thjeshta për të shmangur ekspozimin e panevojshëm ndaj kontaminimeve të mundshme.
Këshilla e parë është të shmangni vendosjen e çantës në tokë, si jashtë ashtu edhe brenda shtëpisë. Veçanërisht, nuk duhet ta vendosni mbi sipërfaqe ku përgatiten ose konsumohen ushqime, si tavolinat e kuzhinës apo banakët.
Një tjetër pikë thelbësore për të parandaluar përhapjen e baktereve, kërpudhave dhe viruseve është higjiena e duarve. Larja e rregullt e duarve me ujë dhe sapun është një praktikë e thjeshtë, por jashtëzakonisht efektive. Është e domosdoshme që larja të bëhet siç duhet, duke fërkuar mirë të gjitha pjesët e duarve për të paktën 20 sekonda. Duart e pastra zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e transferimit të mikrobeve në çantë dhe në objekte të tjera të përdorimit të përditshëm.
Për të mbajtur çantën të pastër dhe të sigurt, ekspertët rekomandojnë përdorimin e pecetave antiseptike të dizajnuara për sipërfaqe (jo për duar). Këto peceta duhet të përdoren çdo ditë, sidomos kur ktheheni në shtëpi, për të eliminuar çdo ndotje të mundshme. Po ashtu, këshillohet që çanta të pastrohet para se të vendoset në dollap, në mënyrë që të mos transmetojë papastërti dhe mikrobe tek rrobat.
Kur jeni jashtë shtëpisë, mund të përdorni disa mënyra për të shmangur vendosjen e çantës në tokë. Mbajtja e saj mbi gjunjë është një zgjidhje praktike. Për më shumë komoditet, mund të përdorni një grep tavoline për ta varur çantën në restorant ose në vende të tjera publike, një ide e shkëlqyer për ta mbajtur të ngritur larg sipërfaqeve potencialisht të ndotura.