Pak ditë para nisjes së edicionit të ri të kupave evropiane, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm në rregullore që prek drejtpërdrejt klubet pjesëmarrëse në Champions League, Europa League dhe Conference League.
Në mbledhjen e mbajtur në Tiranë, u vendos që ekipet të kenë mundësinë të zëvendësojnë jo vetëm portierët, por edhe një lojtar të fushës në rast se ky i fundit pëson një dëmtim apo sëmundje afatgjatë, me kusht që mungesa të zgjasë të paktën 60 ditë.
“Qëllimi i këtij ndryshimi është të garantohet që listat e skuadrave të mos reduktohen padrejtësisht dhe futbollistët të mos ekspozohen ndaj një ngarkese të shtuar fizike,” – shpjegon UEFA në komunikatën zyrtare.
Detajet kryesore të rregullores së re:
Lejohet zëvendësimi i një lojtari të dëmtuar rëndë ose të sëmurë gjatë fazës së ligës deri në javën e gjashtë.
Nëse një lojtar shërohet më shpejt se afati i 60 ditëve, ai gjithsesi nuk ka të drejtë të rikthehet në kompeticion përpara mbarimit të këtij periudhe.
Në rast se lojtari i zëvendësuar ka qenë i regjistruar si “i formuar në klub” ose “i formuar në federatë”, edhe zëvendësuesi duhet të përmbushë këto kuota.
Klubi duhet të dorëzojë dokumentacion të plotë mjekësor pranë UEFA-s, ndërsa institucioni evropian ruan të drejtën të kërkojë një ekzaminim shtesë nga ekspertë të pavarur.
Pas rikuperimit, lojtari origjinal mund të riaktivizohet, duke zëvendësuar futbollistin që e kishte zëvendësuar përkohësisht, me kusht që rikthimi të njoftohet të paktën 24 orë para ndeshjes.
Ky ndryshim pritet të japë më shumë fleksibilitet për klubet dhe trajnerët, duke shmangur situatat e vështira kur një dëmtim i rëndë prish ekuilibrat e skuadrës në një kompeticion të gjatë dhe intensiv si Liga e Kampionëve.

