Te Manchester United vijojnë tensionet dhe zërat për të ardhmen e trajnerit Ruben Amorim. Sipas Daily Mail, disa futbollistë të “Djajve të Kuq” po humbasin besimin te sistemi i teknikut portugez.
Edhe The Sun raporton se një pjesë e skuadrës nuk është bindur nga formacioni 3-4-3, ndërsa Daily Mirror shkruan se Amorim po lufton për të ruajtur mbështetjen e lojtarëve pas humbjes 3-0 në derbin me Manchester City.
Megjithatë, sipas Sky Sports News, drejtuesit e klubit nuk kanë asnjë plan për ta zëvendësuar trajnerin, duke i dhënë atij kohë për të përmbysur situatën. The Telegraph thekson se bordi i United ndan mendimin e Amorim se nisja më e dobët në 33 vite në Premier League ka errësuar disa përmirësime që skuadra ka treguar.
Ndërkohë, nga Portugalia vijnë raportime për një interes të mundshëm për rikthimin e Amorim. The Times shkruan se Joao Noronha Lopes, kandidati kryesor për president të Benfikës, po intensifikon përpjekjet për ta bindur teknikun të rikthehet në klub.
Në frontin e merkatos, portieri Andre Onana mund të ketë ende një të ardhme në “Old Trafford”. Edhe pse aktualisht është huazuar te Trabzonspor në Turqi për këtë sezon, The Sun raporton se United nuk e ka mbyllur derën për rikthimin e kamerunasit.