Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka deklaruar se shqiptarët e Luginës janë populli më i diskriminuar në Ballkan.
Në një intervistë dhënë të mërkurën për emisionin “60 Minuta” në KTV, ai akuzoi Qeverinë e Serbisë për mosrealizim të kërkesave të shqiptarëve dhe për shkelje të të drejtave të tyre themelore.
Rexhepi bëri të ditur se të mërkurën ka refuzuar të marrë pjesë në një takim të thirrur nga ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Serbisë, Demo Berisha.
“Ky takim nuk kishte asnjë pikë të rendit të ditës për diskutim. Ishte një tentativë e radhës nga ministri shqipfolës Demo Berisha për ta paraqitur veten si pro-shqiptar dhe për ta amnistuar qëndrimin e tij, por ne e njohim shumë mirë të kaluarën e tij,” – u shpreh Rexhepi.
Ai kujtoi se në vitin 2022, kishin nënshkruar një platformë me këtë ministri, në të cilën ishin përcaktuar të drejtat e shqiptarëve të Luginës, të cilat sipas tij duhej të realizoheshin deri në vitin 2026. Por, deri më tani, asnjë nga pikat e saj nuk është zbatuar.
“Është koha për veprim, jo për dialog. Ministri kërkon dialog, por shqiptarët e Luginës nuk kanë më kohë për të pritur. Ia kam kërkuar ministrit zbatimin e menjëhershëm të atyre pikave,” – tha ai.
Rexhepi theksoi gjithashtu se Berisha përdor shpesh gjuhë ofenduese ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar në paraqitjet e tij mediatike.
Ai i ka kërkuar ministrit të shfuqizojë edhe vendimin që ndalon subvencionimin e bujqve shqiptarë të Luginës nga Qeveria e Kosovës.
Ndër të tjera, Rexhepi foli edhe për nismën ligjore për rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm në Serbi, duke e cilësuar atë si një metodë për spastrim etnik të shqiptarëve.
“Të rinjtë shqiptarë, sapo të mbushin 18 vjeç, do të detyrohen të emigrojnë dhe të kërkojnë azil politik, siç ndodhi gjatë viteve ’80. Në atë kohë, ata që ishin pjesë e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) u përballën me diskriminim dhe pati edhe viktima,” – theksoi Rexhepi.
Sipas tij, kjo do të jetë një fazë tjetër e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë.
Në fund, Rexhepi u bëri thirrje institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që të angazhohen më fuqishëm për çështjen e shqiptarëve të Luginës dhe ta shtrojnë atë si temë në tryezat ndërkombëtare.