Tottenham Hotspur e nisi me këmbë të mbarë fazën e grupeve në Champions League, duke fituar 1-0 ndaj Villarrealit në Londër.
Fitorja erdhi falë një autogoli të hershëm të Luiz Junior në minutën e 4-t, pas një krosimi të Lucas Bergvall. Ky ishte goli më i shpejtë i Spurs në historinë e këtij kompeticioni.
Pas një pjesë të parë premtuese, londinezët u tërhoqën në pjesën e dytë, duke lejuar Villarrealin të shtynte përpara, por pa rrezikuar seriozisht portën e tyre. Një faull i Micky van de Ven pranë zonës solli momente tensioni në fund, por VAR konfirmoi se faulli ishte jashtë 16-shes.
Trajneri Thomas Frank, në debutimin e tij në Champions League, u shpreh i kënaqur me fitoren dhe portën e paprekur: “Ishte një fitore e madhe dhe një start i mirë. Ekipi mbrojti mirë, edhe pse në sulm na mungoi qartësia,” tha ai.
Tottenham merr tre pikët e para në rikthimin e tyre në garën më të madhe evropiane pas marsit 2023.