Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municion në Prizren, pas një rasti të shtënave me armë zjarri të ndodhur më 9 shtator në rrugën “Mbreti Pleurat”. Hetimet çuan në identifikimin e dy personave të dyshuar dhe në veprime për lokalizimin e tyre.
Më 17 shtator, gjatë kontrollit në rrugën “Enver Hadri”, u sekuestrua një veturë e dyshuar dhe pas kontrollit në dy lokacione u gjetën tre pushkë dhe 161 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Të dyshuarit janë shpallur në kërkim dhe ngarkohen me disa vepra penale. Rasti po hetohet nga njësitë kompetente.
Komunikata:
Sekuestrohen armë dhe një sasi e municionit në Prizren
Prizren, 18 shtator 2025
Me datë 09.09.2025, rreth orës 03:05, Stacioni Policor në Prizren është informuar për një rast të shtënave me armë zjarri, që dyshohet se ka ndodhur rreth orës 02:45 në rrugën “Mbreti Pleurat” – Prizren. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet hetuese kanë ndërmarrë veprime operative në terren, duke siguruar dëshmi që çuan në identifikimin e dy personave të dyshuar.
Më datë 17.09.2025, rreth orës 14:45, policia ka ndërmarrë veprime për lokalizimin e të dyshuarve në rrugën “Enver Hadri” – Prizren, ku është gjetur dhe sekuestruar një veturë e dyshuar që lidhet me rastin. I dyshuari nuk është hasur në shtëpi. Pas marrjes së urdhrit verbal nga prokurori i rastit, në prezencën e babait të dyshuarit dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, është realizuar kontroll në dy lokacione në Prizren.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar:
- Një (1) pushkë automatike AK-47
- Një (1) pushkë gjysmë automatike me dylbi
- Një (1) pushkë gjuetie
- 161 fishekë të kalibrave të ndryshëm
Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe evidentuar nga njësia e krim-teknikës.
Të dy të dyshuarit janë në kërkim dhe akuzohen për këto vepra penale: “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike.