Ministri në largim i Financave, Hekuran Murati, është deklaruar lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për media, ai tha se besojnë në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së.
“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë konsistente gjatë gjithë kohës sa i përket Gjykatës Speciale. Ne e kemi kundërshtuar atë që nga fillimi, pasi kemi konsideruar se është një gjykatë që ndjek vetëm një etni – pra, është një gjykim i njëanshëm. E kemi kundërshtuar atëherë, e kemi refuzuar, dhe sot po i shohim pasojat që po sjell kjo gjykatë. Nuk qëndron ajo që na ishte thënë në atë kohë – se ky do të ishte vetëm një proces për pastrimin e imazhit të luftës çlirimtare”.
Murati theksoi se shpresojnë që gjykata të japë një verdikt pafajësie për të gjithë ata që po gjykohen dhe që ata të kthehen në Kosovë.
“Ne shpresojmë, besojmë dhe urojmë që gjykata të shpallë pafajësinë për të gjithë ata që po gjykohen atje dhe të kthehen këtu. Pastaj, janë çështje të tjera që mund të trajtohen lidhur me qeverisjet e kaluara. Mirëpo, sa i përket vetë Gjykatës Speciale, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: ajo është një gjykatë e padrejtë dhe ne vazhdojmë të besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” deklaroi Murati.