Hamasi paralajmëron se ofensiva në qytetin e Gazës i jep fund shpresës për kthimin e pengjeve izraelite.
Në një mesazh të shkruar në hebraisht dhe drejtuar ushtrisë dhe udhëheqjes izraelite, krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, tha se Netanyahu kishte lëshuar një dënim me vdekje për pengjet.
“Të burgosurit tuaj janë shpërndarë brenda lagjeve të Qytetit të Gazës dhe ne nuk do të shqetësohemi për jetën e tyre për sa kohë që Netanyahu ka vendosur t’i vrasë”, shkruan Brigadat Al-Qassam.
Në një deklaratë të mëvonshme, Hamasi tha se Gaza do të jetë një varrezë për ushtarët izraelitë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur zemërimi i izraelitëve ndaj kryeministrit Netanyahu vazhdon të rritet, me protesta në Tel Aviv që kërkojnë përfundimin e luftës.
Megjithatë, shumë familje pengjesh kanë thënë se plani i Izraelit për të marrë qytetin është një dënim me vdekje për të afërmit e tyre.
Në Gaza kanë mbetur 48 pengje, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Ndërkohë që numri i viktimave po rritet dita-ditës dhe kriza humanitare është në nivele alarmante, tanket izraelite kanë përparuar drejt qendrës së Gazës.
Objektivi i Izraelit është i qartë: marrja e qytetit të Gazës dhe shkatërrimi i grupit të Hamasit, pavarësisht thirrjeve për paqe nga ndërkombëtarët.