AVONET akuzon Policinë: Ndalim dhe kërcënim i paligjshëm ndaj përfaqësuesit tonë

by informim peje

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me ngjarjen skandaloze dhe të papranueshme që ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Ferizaj, ku Zëvendësdrejtori i organizatës është ndaluar dhe më pas kërcënuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës – pa asnjë dyshim të arsyeshëm, pa ndonjë bazë ligjore dhe në kundërshtim flagrant me të gjitha standardet demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Gjatë ndalimit, zyrtarët policorë përdorën forcë fizike joproporcionale, duke e tejkaluar qartë autorizimin që u jep ligji. Këto veprime përbëjnë abuzim të rëndë me detyrën, akt të frikësimit institucional, dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj zërit të shoqërisë civile që mbron të drejtat dhe interesin publik.

banner

Zyrtarët në fjalë, në mënyrë të papranueshme, i janë drejtuar Zëvendësdrejtorit të AVONET me fjalët:
“T’çaj, veç e hap gojën edhe ni herë.”

Deklaratat e mëvonshme të këtyre zyrtarëve konfirmojnë se ndalimi i dy anëtarëve të AVONET-it është bërë pa ndonjë dyshim të arsyeshëm, gjë që e rëndon edhe më shumë situatën. Kjo tregon se në Policinë e Kosovës ekzistojnë individë që veprojnë jashtë çdo kontrolli ligjor dhe etik, duke shkelur ligjin për Policinë, i cili lejon ndalimin vetëm në rast të dyshimit të arsyeshëm.

Kërcënimi ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile është i papranueshëm në një shtet demokratik, dhe përbën vepër penale të dënueshme sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (kanosja).

Sjellje të tilla pasqyrojnë një kulturë të rrezikshme të pandëshkueshmërisë dhe arrogancës institucionale, e cila duhet të marrë fund menjëherë.

AVONET kërkon me urgjencë që:

Inspektorati Policor i Kosovës të nisë një hetim të pavarur dhe të gjithanshëm për këtë rast.

Prokuroria të veprojë menjëherë në përputhje me ligjin dhe të hetojë rastin në drejtim të veprave penale si:

Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar,

Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare,

Kanosje.

Zyrtarët e përfshirë të suspendohen menjëherë nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.

Policia e Kosovës të marrë masa urgjente për edukimin, trajtimin profesional dhe psikologjik të zyrtarëve policorë.

Sjellje të tilla përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë dhe serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë juridike të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy