Gjenerali Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK-së, ka komentuar paradën ushtarake të Serbisë që u mbajt ditët e fundit në Beograd, duke e cilësuar atë si një manovër politike për të ruajtur pushtetin e brendshëm dhe për të shfaqur ambicie destabilizuese në rajon. Sipas tij, parada ushtarake e Serbisë kishte disa mesazhe të qarta politike.
“Kjo paradë ka dashur të përcjellë disa mesazhe, në radhë të parë për problemet që Serbia po përballet prej disa muajsh, me protesta të shumta dhe përpjekje për të rrëzuar pushtetin aktual. Me këtë paradë, ata dëshirojnë të demonstrojnë forcë për të frikësuar popullin e tyre që të mos vazhdojë më tej me këto protesta,” – u shpreh Kastrati për Euronews Albania.
Ai komentoi edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas tij po përpiqet të përdorë dezinformimin dhe frikën për të shtypur protestat e brendshme.
“Në radhë të dytë, Vuçiq tha para dy ditësh se kishte marrë informacione nga sigurimi sekret sovjetik apo rus, sipas të cilave më 1 tetor do të rrëzohet pushteti në Serbi. Unë mendoj se, duke marrë parasysh marrëdhëniet e tensionuara, ai po përdor këto informacione për të ndërhyrë në protestat,” shtoi gjenerali.
Në fund, Kastrati theksoi se Serbia mbetet një faktor destabilizues në rajon, me qëllime të qarta për të ndikuar në vendet fqinje.
“Edhe e treta është që Serbia është një faktor destabilizues, me synime territoriale në Bosnje dhe Kosovë, dhe për të ndërhyrë në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ku synon të rivendosë ‘botën serbe’,” përfundoi Kastrati.