Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka publikuar sot raportin vjetor për transparencën fiskale për vitin 2025, ku Kosova renditet në mesin e 71 vendeve që përmbushin standardet minimale në këtë fushë.
Nga gjithsej 139 shtete dhe Autoriteti Palestinez të vlerësuara, vetëm 71 qeveri kanë arritur të plotësojnë kërkesat, ndërsa 69 vende të tjera nuk i kanë përmbushur ato. Megjithatë, nga kjo listë e fundit, 26 shtete kanë shënuar përparim të dukshëm drejt arritjes së transparencës fiskale.
Sipas raportit, Kosova ka siguruar transparencë në dokumentet buxhetore, kontratat dhe licencat publike, duke përmbushur kriteret për publikimin, përmbajtjen dhe besueshmërinë e tyre.
Përveç Kosovës, në listën e vendeve që plotësojnë standardet përfshihen edhe Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Brazili, Izraeli, Turqia, Portugalia, Rumania, Afrika e Jugut, India dhe dhjetëra shtete të tjera.
“Departamenti arriti në përfundimin se, nga 139 vendet (dhe Autoriteti Palestinez) të vlerësuara, 71 qeveri përmbushën kërkesat minimale të transparencës fiskale dhe 69 nuk i përmbushën kërkesat minimale. Megjithatë, nga këto 69, 26 bënë përparim të konsiderueshëm drejt përmbushjes së tyre”, thuhet në raportin e DASH.
Raporti për transparencën fiskale është një nga mekanizmat kryesorë që Departamenti i Shtetit përdor për të vlerësuar nivelin e hapjes së qeverive ndaj publikut në menaxhimin e financave dhe burimeve publike, duke synuar forcimin e llogaridhënies dhe luftimin e korrupsionit.