Institucione të ndryshme që merren me organizimin e zgjedhjeve në shtetet e tyre pritet të vijnë në Kosovë për të përcjellë nga afër procesin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve do të kenë mundësi të vëzhgojnë jo vetëm procesin e votimit më 12 tetor, ditën e zgjedhjeve, por edhe aspektet e ndryshme organizative të këtij procesi.
Në një deklarim për Ekonomia Online, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se lista e institucioneve pjesëmarrëse do të publikohet pas përfundimit të procedurave të akreditimit.
“KQZ është anëtar me të drejta të plota i Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-WEB), dhe gjatë kësaj kohe ka ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi me institucione të shteteve të ndryshme që merren me organizimin e zgjedhjeve, si dhe me organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve. Në kuadër të këtyre bashkëpunimeve, kemi përgatitur një program të veçantë për vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët do të vizitojnë Republikën e Kosovës për të njohur nga afër sistemin tonë zgjedhor dhe për të vlerësuar praktikat tona,” deklaroi Elezi.
Përfaqësuesit e institucioneve zgjedhore nuk do të jenë të vetmit që do të mund të vëzhgojnë Zgjedhjet Lokale, pasi KQZ është ende në pritje të aplikimeve nga kategori të tjera.
“Po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025. Më 17 shtator është përmbyllur afati për 93 subjektet politike për të paraqitur kërkesat e tyre për akreditim të vëzhguesve. Deri më 27 shtator mbetet i hapur afati për organizatat joqeveritare vendore, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, ndërkaq afati i fundit për aplikim nga mediat vendore dhe ndërkombëtare është data 7 tetor,” njoftoi zëdhënësi i KQZ-së.
Sipas KQZ-së, vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor për forcimin e besimit të qytetarëve dhe akterëve të tjerë në drejtësinë dhe transparencën e procesit zgjedhor, duke siguruar që ato zhvillohen në përputhje me standardet më të larta demokratike.