Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim të hapur me banorët e Lagjes së Muhaxhirëve, ku prezantoi projektet e realizuara dhe ato në zhvillim, duke akuzuar nivelin qendror për bllokime të paligjshme që, sipas tij, po pengojnë përparimin e kryeqytetit.
Rama theksoi ndërhyrjet në hapësirat publike si zgjerimi i sheshit drejt Katedrales, rikualifikimi i rrugës “Rexhep Luci” dhe projekti madhor i sheshit “Gjorgj Bush”, të cilin e cilësoi si dhjetëfish më të gjerë dhe më të rëndësishëm.
“Nëse keni parë sheshin ‘Rexhep Luci’ sot, është një ndjesi tjetër. Jep energji pozitive dhe siguri. Ky është vetëm një fragment i mozaikut që po ndërtojmë për ta transformuar qytetin”, tha ai.
Në fokus të planit të tij janë edhe unazat e brendshme dhe të jashtme të Prishtinës, ndërlidhja me rrugën “Xhim Xhema” dhe ndërtimi i dhjetë shkollave të reja në periferi. “Tri janë përfunduar, shtatë janë në ndërtim. Këto shkolla ulin stresin e familjeve dhe lehtësojnë trafikun”, u shpreh Rama.
Kryetari e cilësoi përgatitjen për Lojërat Mesdhetare si një moment historik për Prishtinën, duke kërkuar përfundimin e projekteve madhore.
Ai kritikoi nivelin qendror për mungesë mbështetjeje, duke theksuar se projektet nuk janë personale, por për të ardhmen e qytetit. Master-plani i fshatit olimpik, sipas tij, do të hapë dyert për investitorë ndërkombëtarë.
Duke iu referuar raportit të fundit të GAP, Rama tha se Komuna ka realizuar 72% të premtimeve në katër vjet, me 119 projekte të përfunduara. Ai krahasoi këtë rezultat me paraardhësin Shpend Ahmeti, që sipas tij kishte realizuar 79 projekte në tetë vjet. “Vetëvendosjes do t’i duheshin edhe 16 vjet për të arritur nivelin tonë”, ironizoi ai.
Në fjalimin e tij, Rama përmendi ndërtimin e hapësirave sportive në lagje të ndryshme, përfshirë fushën e parë të futbollit për vajzat e KFV Prishtina dhe projektin për klubin “Besëlidhja”.
Në fund, kryetari falënderoi qytetarët për përkrahjen dhe i ftoi për një bashkëbisedim të hapur. “E di që kemi shumë punë, shumë sfida dhe shumë nevoja, por ne kemi ekip profesional, vizion të qartë dhe projekte konkrete që tashmë po japin rezultate. Përkundër pengesave, po ecim përpara”, përfundoi Rama.