Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos një tarifë aplikimi prej 100 mijë dollarësh për vizat H-1B, si pjesë e një përpjekjeje për të kufizuar përdorimin e programit nga kompanitë amerikane.
Sipas administratës, kjo masë synon të nxisë punësimin e qytetarëve amerikanë, ndërkohë që ruan mundësinë për të rekrutuar profesionistë të huaj në fusha të specializuara.
“Na duhen punonjës të shkëlqyer, dhe kjo garanton që kjo do të ndodhë,” deklaroi Trump nga Zyra Ovale, duke theksuar se tarifa do të shërbejë si filtër për aplikimet.
Vendimi parashikon që hyrja në programin H-1B të jetë e mundur vetëm nëse shoqërohet me pagesën e tarifës. Në një urdhër paralel, Trump propozoi krijimin e një “karte ari” për emigracionin, e cila do të përshpejtojë procesin e vizave për individët që paguajnë 1 milion dollarë, ose për kompanitë që investojnë 2 milion dollarë për një punonjës të huaj.
Viza H-1B është e vlefshme për tre vjet dhe mund të rinovohet për një periudhë të ngjashme. Ekonomistët argumentojnë se ky program ndihmon kompanitë amerikane të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të krijojnë vende të reja pune.
Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, sqaroi se tarifa vjetore prej 100 mijë dollarësh, plus kostot e verifikimit, u përcaktua pas konsultimeve me sektorin privat. Struktura e pagesës mbetet në diskutim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, me dy opsione në shqyrtim: pagesë paraprake prej 300 mijë dollarësh ose tarifë vjetore për tre vite.