Një akt i rëndë dhe tronditës ka ndodhur në qytetin e Napolit në Itali, ku persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur ilaçe jetike për pacientët me kancer. Ngjarja ka ndodhur të enjten në ambientet e Institutit të Kancerit “Pascale”, një prej qendrave më të mëdha onkologjike në vend.
Sipas mediave italiane, vlera e barnave të vjedhura arrin në rreth 800 mijë euro.
Bëhet fjalë kryesisht për ilaçe eksperimentale dhe antitrupa monoklonalë, të cilët përdoren për trajtimin e sëmundjeve tumoriale në faza të ndryshme.
Ngjarja është cilësuar si e paprecedentë nga autoritetet, ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar, përfshirë analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe kontrollin e brendshëm të aksesit në depo farmaceutike.
“Kjo është një goditje e rëndë për pacientët tanë,” thuhet në një deklaratë të institutit, ndërsa shprehet shqetësimi për mundësinë e ndërprerjes së disa trajtimeve për pacientët në gjendje të rëndë.
Prokuroria ka hapur dosje për rastin, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që pas kësaj vjedhjeje të jetë një rrjet i organizuar kriminal, që operon me tregun ilegal të barnave të shtrenjta.
Kjo ngjarje ka shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik italian, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë në institucionet shëndetësore dhe për mënyrën se si mund të mbrohen barnat e ndjeshme dhe të kushtueshme, sidomos ato që shpëtojnë jetë.