Në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Serbia ka paralajmëruar një ofensivë të re diplomatike kundër shtetësisë së Kosovës, duke synuar të ndikojë në qëndrimet e vendeve anëtare përmes lobimit të koordinuar dhe deklaratave të forta politike.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka deklaruar se Beogradi po përgatitet për një “ndryshim të qëndrimit” të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, duke e cilësuar qeverinë e Albin Kurtit si shkaktare të “dështimeve diplomatike” që Serbia synon t’i shfrytëzojë.
Gjuriq ka përmendur lidhje me “faktorë kyç” ndërkombëtarë, por nuk ka dhënë detaje konkrete për ndonjë kthesë të mundshme në politikën globale ndaj Prishtinës.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq pritet të udhëtojë në New York, ku ka planifikuar një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio. Sipas raportimeve, Vuçiq do të përpiqet të paraqesë Kosovën si një precedent të rrezikshëm për sovranitetin e shteteve, duke synuar të bindë vendet me konflikte të brendshme territoriale që të mos e njohin pavarësinë e saj.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet në SHBA, ka zhvilluar takime me komunitetin shqiptar dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit. Ajo ka kërkuar mbështetje për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare të kësaj organizate që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap.
Qasja e Serbisë bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023, ku Beogradi është zotuar të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, Serbia vazhdon të përdorë mjete diplomatike dhe ekonomike për të ndikuar në tërheqjen e njohjeve nga shtete të caktuara, veçanërisht në Afrikë dhe Azi.
Deri më tani, institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë detaje për kundërveprimet që do të ndërmarrin në përgjigje të fushatës serbe.