Këshilli Bashkiak shkarkoi këtë të martë, 23 shtator, nga detyra kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, nuk ishte i pranishëm në mbledhje, pasi kërkesa e tij u refuzua më herët nga Komisioni i Çështjeve Ligjore. Mungesa e tij sakaq, nuk u diskutua në asnjë moment nga të pranishmit.
Të pranishmit mbajtën nga 5 minuta fjalim për procedurë. Anëtarët socialistë u shprehen se ky hap lidhet me nevojën për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka kapluar kryeqytetin që pas arrestimit të Veliajt. Nga ana tjetër, anëtarët e opozitës nisën të listonin akuza të ndryshme ndaj Veliajt, teksa nuk fshehnin as “gëzimin” për shkarkimin e tij si kryebashkiak.
Shkarkimi i Veliajt u iniciua nga këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës, të cilët u vunë në lëvizje pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste. Ata e argumentojnë kërkesën e tyre me mungesën në detyrë për 3 muaj sipas ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”.
Kujtojmë se Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa janë nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, akuzat të cilat ata i kanë mohuar dhe cilësuar si sulm politik. SPAK pritet të komunikojë përfundimin e hetimit ndaj tyre gjatë këtij muaji.
Mbledhja e sotme shënoi një nga momentet më të tensionuara në historikun e Bashkisë së Tiranës. Sakaq, ai ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese 15 ditë më vonë, më pas është ky organ që jep verdiktin.