Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi në orët e para të mëngjesit në magjistralen Pejë–Prishtinë, në fshatin Zajm të Klinës.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, aksidenti ndodhi rreth orës 05:00 dhe përfshiu një kamion transportues, një kombi dhe një veturë.
“Në këtë aksident kanë humbur jetën dy persona, ndërsa dy të tjerë janë duke u trajtuar për lëndime të rënda,” tha Gashi për mediat lokale.
Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke transportuar të lënduarit në Spitalin Rajonal të Pejës. Njëri prej viktimave u konfirmua i vdekur në vend, ndërsa tjetri nuk i mbijetoi plagëve gjatë trajtimit mjekësor.

